EDLIRA XHERRI
Elbasani ka sërish arsye për t’u ndjerë krenar. Sportistja e re, Ana Kokoneshi, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke u rikthyer me dy medalje nga turneu “Podgorica Open 2026”, zhvilluar në Podgoricë.
Në një garë ku morën pjesë mbi 100 sportistë nga vende të ndryshme të rajonit, konkurrenca ishte e fortë dhe sfiduese. Megjithatë, Ana arriti të spikasë me performancë të qëndrueshme dhe nivel të lartë teknik, duke u ngjitur dy herë në podium.
Në kategorinë U13, ajo dominoi përballjet dhe u shpall kampione, duke fituar medaljen e artë. Ndërkohë, në kategorinë U15, përballë sportisteve më të mëdha në moshë, arriti të renditet në vendin e dytë, duke siguruar medaljen e argjendtë.
Ky rezultat i dyfishtë dëshmon për punën e palodhur, disiplinën dhe përgatitjen serioze të sportistes, si edhe përkushtimin e trajneres së saj, Greta Kovaçi, e cila ka luajtur një rol kyç në formimin dhe rritjen e saj sportive.
Me këtë paraqitje, Ana jo vetëm që konfirmon talentin e saj, por edhe ngre lart emrin e Elbasanit në aktivitetet sportive ndërkombëtare, duke sjellë një tjetër moment krenarie për qytetin.




























