Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në qytetin e Elbasanit. Një person ka tentuar t’i japë fund jetës dhe është hedhur nga kati i 7 i pallatit ku banonte.
Ky shtetas, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije, fatmirësisht ka mundur të jetojë dhe ka rënë në tarracën e një fast food-i, në fund të pallatit ku ai banonte. Forca të shumta policie dhe ambulanca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Për shkak të orarit të vonë, fast food-i në pronësi të shtetasit Ilir Zekthi nga Belshi ka qenë i mbyllur. Kjo i ka detyruar forcat e Policisë që të thyejnë xhamat e tij dhe të futen brenda për të shpëtuar banorin që ishte hedhur nga kati i 7 i pallatit.
I plagosuri është dërguar në spital, ndërkohë gjendja shendetësore e tij dhe identiteti nuk bëhen ende me dije. Policia po heton për shkaqet që e kanë çuar atë drejt aktit të rëndë.
Fillimisht u raportua se fast food-i ishte sulmuar gjatë natës dhe i ishin thyer xhamat, por nga burimet bëhet me dije se ngjarja ka qenë krejt ndryshe.