ATSH/ Është organizuar sot në Tiranë marshimi i përvitshëm “Buddy Walk”, për të mbështetur personat që vuajnë nga sindroma Down.

Persona me sindromën Down të mbështetur nga familjarë dhe të rijnë të kryeqytetit kanë marshuar në këmbë nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, duke iu bashkuar nismës se fondacionit “Down Syndrome Albania”.

Në Ditën Botërore të Sindromës Down, nën moton “Eja të kesh një shok për kokë përkrah teje” ata marshuan deri tek Parku Rinia.

Risia e marshimit të këtij viti ishte fushata “Çorapet shumëngjyrëshe” me qëllim ndërgjegjësimin për këtë ditë.

Fondacioni “Down Syndrome Albania” ka kërkuar nga të pranishmit të vishnin çorape me ngjyra të ndryshme dhe ti postonin fotot në rrjetet sociale duke e shoqëruar me shkrimin “Dita Botërore e Sindromës Down”.

Gjithashtu të pranishmit në këtë marshim sensibilizues duhet të kontribuonin me çorape për ndërtimin e “Instalacionit të Gjithëpërfshirjes”.

Qëllimi tjetër i kësaj fushate është ngritja e fondeve në qendrën e shërbimeve “PRO PAK” për shërbime terapeutike për fëmijët me sindromën Down dhe me aftësi të tjera të kufizuara, për familjet e atyre të cilët nuk kanë mundësi për këto shërbime.