Gazeta e përditshme greke “eKathimerini” ka publikuar ditët e fundit artikullin e prestigjiozes amerikane “New Yorks Times” kushtuar Shqipërisë.
Gazetarja Valeriya Safronova në artikullin e saj ka shkruar për Ksamilin, Sarandën dhe qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës.
“Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë”, thuhet në artikullin e “New York Times”.
Gazetarja Safronova ka përshkuar se si ka kaluar ditën në plazh në Ksamil dhe mbrëmjet në Sarandë.
Më tej në artikullin e saj flet për Beratin, sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Shqipëria ka qenë prej kohësh një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, Ballkanit dhe botës mesdhetare. Për shkak të shekujve të sundimit osman dhe pavarësisht dekadave të ateizmit zyrtar gati gjysma e popullsisë identifikohet si myslimane. Vendet historike të vendit pasqyrojnë këtë heterogjenitet historik. Berati, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s rreth dy orë në jug të Tiranës, shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Osum, me çatitë me tjegulla të kuqe të shtëpive që ngjiten në shpatet e buta të luginës, me qindra dritare që shohin jashtë si sy vigjilentë”, theksohet në artikull.
Një tjetër qytet që i ka lënë mbresa gazetares Safronova është edhe qyteti i Gjirokastrës.
“Gjirokastra më dukej më shumë si diçka nga një libër me përralla, shtëpitë e saj prej guri të zbukuruara me gdhendje të hollësishme druri dhe të grumbulluara rreth rrugëve me kalldrëm. Por, ai është një libër me figura me një anë të errët pasi, në qendër të qytetit ndodhet një tunel i Luftës së Ftohtë, një nga mijëra bunkerët që diktatori Enver Hoxha ndërtoi në të gjithë vendin gjatë mbretërimit të tij, nga viti 1944 deri në vitin 1985, nga frika e një sulmi të huaj”, shkruan ajo në artikullin e botuar në “New York Times”.
/k.s/j.p/