/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, tha se, “në pesë vitet e fundit numri i shërbimeve publike në shërbim të qytetarëve është rritur me 40%”.

Duke marrë fjalën sot në punimet e seancës plenare në Kuvend, Ekonomi theksoi se qeveria është tërësisht e angazhuar t’i shërbejë qytetarit, pavarësisht krahut politik që përfaqëson ai dhe ka ndërmarrë iniciativa për të dëgjuar zërin qytetar për çështje të ndryshme.

Duke iu referuar Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ekonomi tha se “ndryshe nga opozita që e keq përdor këtë raport, ne bëjmë një lexim shumë të kujdesshëm për të parë se cilat janë detyrat tona për të ardhmen”.

“Ne i lexojmë me kujdes raportet ndërkombëtare, për t’i kthyer në platforma veprimi. Raporti i DASH-it, vlerëson përpjekjen që bën autoriteti shqiptare për të luftuar korrupsionin, fenomen i kahershëm i shoqërisë, të cilin ne jemi duke e luftuar në çdo drejtim. Raporti i DASH-it, i kushton vëmendje luftës që po bën qeveria, për të pastruar sistemin e drejtësisë. Përpjekjet tona për të zbatuar Vettingun, raporti e vlerëson duke thëne se deri në shtator 42% e gjyqtarëve dhe prokurorëve kishin dështuar dhe u shkarkuar, 36 % e tyre kaluan dhe 22% dhanë dorëheqjen nga puna”, deklaroi Ekonomi.

Ekonomi theksoi se, praktikat që ka ndjekur deri tani qeveria janë praktika që i shërbejnë më së miri shtetit të së drejtës.

“Qeveria shqiptare bëj kujdes për të dëgjuar dhe zërin e qytetarëve. Ligji për bashkëqeverisjen e cila ishte forma më e mirë e dëgjimit të zërit të popullit, pavarësisht ngjyrimeve politike që kanë, për të ndihmuar administratën tonë publike për të qenë më afër zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Ne jemi dëshmitarë që administrata publike sot ka më shumë shërbime online për qytetarët. Vetëm me një klik qytetarë marrin shërbime të ndryshme”, u shpreh ministrja, teksa evidentoi se, së fundi janë shtuar edhe dy shërbime të reja online, ajo e raportit mjekësore dhe biletës së transportit publik.

Ekonomi tha se edhe Këshillimi Kombëtar ishte një mundësi shumë e mirë, ku qytetarët u shprehën pozitivisht për çështje të ndryshme ekonomiko sociale që i shërbejnë zhvillimit dhe ekonomisë së vendit.

“Ky është një mandat pune dhe mënyra sesi ne mendojmë për çuar përpara vendin është mënyra që i takon të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe është mënyra më e mirë për të përballuar krizën duke menduar se e ardhmja është këtu”, tha Ekonomi.