ATSH/ Subvencionet dhe programet e IPARD kanë mbështetur industrinë e përpunimit të peshkut, duke rritur vlerat e financimit për këtë sektor, deri në 30 milionë lekë për një biznes.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se ndërkohë eksportet e peshkut dhe produkteve të detit janë grupi me vlerën më të lartë të shitjeve jashtë vendit.
Sipas statistikave, dy grupet “Peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme” dhe “Ushqimet e përgatitura nga mishi, peshku dhe molusqet” u rritën në vlerë me 3.407 milionë lekë në fund të 3- mujorit të parë 2021, kundrejt 2,603 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Rritja e eksporteve të produkteve të peshkut dominon nga portet kryesore të vendit (Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Sarandë).
Vendet e BE-së (Italia e Gjermania) vijojnë të jenë destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare të peshkut, ndërkohë që vijon normalisht edhe furnizimi i tregjeve të vendit me peshk e fruta deti.
Në total harta e eksportit të peshkut nga Shqipëria është zgjeruar vitet e fundit në 11 shtete të ndryshme, duke shënuar rritje të eksporteve në volum dhe vlerë.
Politikat lehtësuese në mbështetje të peshkimit i kanë dhënë impuls të ri këtij sektori.
Prej 7 vitesh peshkatarët e marrin naftën pa taksa, rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja.
Qeveria së bashku me BE-në financuan së fundi një grant prej 1.5 milionë euro për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.
Ndërkohë zhvillim ka marrë edhe industria e përpunimit të peshkut. Numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut në Shqipëri është dyfishuar që prej vitit 2013. Nga 16 ndërmarrje që operonin në këtë sektor në vitin 2013, sot numri i tyre ka arritur në 35.
Krahas rritjes së numrit të ndërmarrjeve aktive rritje ka njohur edhe numri i të punësuarve. Investimet e kryera nga këto ndërmarrje llogariten 60 milionë euro, ndërsa janë të punësuar mbi 5 mijë persona.
/j.p/

























