Në kuadër të festimeve për Dita e Verës, në ambientet e Biblioteka Publike “Qemal Baholli” u zhvillua aktiviteti “Takim & Ekspozitë – Historiku i Ditës së Verës”, një moment i veçantë që solli më pranë traditën, historinë dhe vlerat e kësaj feste të dashur për qytetin e Elbasan.

 

Gjatë këtij takimi, të pranishmit patën mundësinë të njihen më nga afër me rrënjët e lashta të kësaj feste, simbolikën që ajo mbart dhe mënyrën se si është ruajtur ndër breza si një nga traditat më përfaqësuese të qytetit.

 

Në aktivitet referuan dhe ndanë mendimet e tyre mbi historinë dhe rëndësinë kulturore të festës Drejtori i Artit dhe Kulturës Kliton Kapaj, përgjegjësja e bibliotekës Elisa Janku, si edhe studiues e pjesëmarrës të tjerë si Manjola Hatellari, Bardhyl Toda, Migena Kapllani, Elisabeta Myftari, Agim Qoku, Fetah Biza, Hyqmet Zane, Anila Çota, Albana Drenogllava, Lana Çala dhe Petrit Hidri, të cilët sollën këndvështrime të ndryshme mbi historinë, traditën dhe rëndësinë kulturore të Ditës së Verës.

 

Po ashtu, ekspozita e përgatitur me këtë rast paraqiti materiale dhe elemente që pasqyrojnë historikun e kësaj feste, duke e kthyer bibliotekën në një hapësirë takimi mes kujtesës, traditës dhe kulturës.

 

Dita e Verës mbetet një simbol i gëzimit, i ringjalljes së natyrës dhe i trashëgimisë sonë kulturore, një festë që vazhdon të bashkojë komunitetin dhe të ruhet me dashuri nga brezi në brez.