“Dita e verës”
Ç’është dita e verës?

Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajmë Dita e Verës.
Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degat e thanavet, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjithë shelgjevet të nderuara. Do të këpusin degë të gjelbëra dhe do t’i venë përmbi kryet e shtëpisë.
Të mos i lemë të humbasin këto festa të vjetra të rracës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, të hollë, dhe të rrallë.

Faik Konica

#ditaeveres #elbasanibukur #ruajmetraditen