Bletërritësi Enver Dyma nga Elbasani përmes mbështetjes nga Skemat Kombëtare dhe pasionit të tij për bletët ka ngritur sot parkun model të bletëve, prej të cilave siguron prodhim cilësor dhe të ardhura të kënaqshme për familjen e tij.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimt Rural, Milva Ekonomi ka sjellë shembullin e Enverit që është një prej qindra fermerëve që kanë ngritur histori suksesi në bletari, falë edhe mbështetjes financiare së vazhdueshme që adreson qeveria për ta.
Enveri tregon se, gjithçka nisi me mbarimin e gjimnazit, në vitin 1977 ku filloi punë në Ndërmarrjen e Bletëve dhe Krimbit të Mëndafshit.
“Bletaria për mua u kthye në më tepër se një profesion, ishte dhe vazhdon të jetë zgjedhja më e mirë që kam bërë. Një pasion i cili me kalimin e viteve veçse është shtuar, ashtu sikurse edhe dëshira për t’u thelluar në botën e tyre, në mënyrë që të siguroj jo vetëm një prodhim cilësor, por të garantoj që të jenë gjithmonë të shëndetshme”, – thotë ai.
“Edhe me ndryshimin e sistemit unë vazhdova të merresha privatisht me rritjen e bletëve dhe kam qenë gjithmonë i interesuar mbi të rejat që ofronte shkenca. Për këtë arsye u angazhova me shoqatat që merren me bletët dhe në 1997, në vitin më të çmendur të Shqipërisë, ne shkojmë në Belgjikë në Kongresin Botëror të Bletarisë”, – shprehet Enveri.
Sipas tij, ishte një gjë komplet e re dhe e paimagjinueshme duke menduar edhe situatën e asaj kohe.
Ai tregon se ka qenë me fat që ka marrë pjesë në përfaqësime të tilla.
“Që mesa mbaj, thotë ai, mend kam qenë në 9 prej tyre, jo pak për një bletar të thjeshtë si puna ime. Dhe nga gjithë këto evente ku përfaqësohej dhe prezantohej produkti shqiptar, më ka ngelur mendja në Kanada, ku në 1999 në Vankuver, përsëri në një kongres botëror, 1 javë, me forume dhe konferenca ku diskutoheshin të rejat në rritjen e bletëve, teknologjia, metodat më të fundit të mbarështimit. Një informacion i pamasë që edhe sot kur e kujtoj ka qenë një gjë e jashtëzakonshme të cilën e aplikova sapo u ktheva në Shqipëri”.
“Atëherë nuk kishte internet dhe zhvillimet e shkencës ishin vështirë ose thuajse të pamundura të gjendeshin, kështu që e mbaj mend atë kohë si një shkollë të vërtetë. Të njejtën gjë kam bërë edhe në vazhdim në fakt, duke u munduar të jem gjithmonë në kontakt dhe tani me internetin kjo puna e dijes nuk paska të mbaruar asnjëherë”, tregon fermeri.
“Është e tepërt ta them që bletët më janë bërë pjesë e familjes dhe kujdesin për to gjithashtu e bëj me familjen time. Jam me fat që edhe djali i vogël po ingranohet çdo ditë e më shumë në këtë punë duke mos e parë vetëm si biznes”, – shprehet Enveri. /j.p/r.e/


























