Po shkon drejt finalizimit Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2025–2030, i përgatitur nga Bashkia Elbasan me mbështetjen e UN Women Shqipëri, në kuadër të projektit “Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore II – Instrumenti i Lehtësimit të Barazisë Gjinore në Shqipëri” (EU4GE II), të financuar nga Bashkimi Evropian.

 

Në procesin e hartimit të këtij dokumenti, të tretit të këtij lloji për Bashkinë Elbasan, u përfshinë institucione vendore, organizata të shoqërisë civile, Aleanca e Grave Këshilltare, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe Forumi për Qeverisjen e Hapur (OGP).

 

📌 Gjatë periudhës 2022–2024, Bashkia Elbasan ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për institucionalizimin e barazisë gjinore: forcimin e strukturave përgjegjëse, zhvillimin e trajnimeve për përfaqësues të institucioneve publike, fushata sensibilizuese mbi dhunën me bazë gjinore dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje.

 

Një arritje e veçantë ishte kostimi i menaxhimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore në vitin 2024 – i pari i realizuar në nivel kombëtar – që identifikoi kostot reale, hendekun financiar dhe masat që duhet ndërmarrë. Si rezultat, Bashkia reflektoi në buxhetin e saj një rritje të fondeve të dedikuara për këtë fushë.

 

Megjithatë, sfida të rëndësishme mbeten: nevoja për burime të qëndrueshme njerëzore e financiare, rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimi i sistemit të monitorimit gjinor. Përvojat e deritanishme kanë shërbyer si bazë për veprimet e planifikuara në PVVBGJ 2025–2030.

 

Ky dokument strategjik i ri konfirmon angazhimin e Bashkisë Elbasan për zbatimin e Kartës së Barazisë Gjinore dhe detyrimeve ligjore, duke e bërë barazinë gjinore një prioritet të pandashëm të zhvillimit vendor.