Sot, në institucionin e Prefektit të Qarkut Elbasan, u prezantua projekti “Ekspertizë për hartimin e studimit për burimet ujore të basenit Shkumbin për shuarjen e zjarreve”, në kuadër të SA RESILIENCE, IPA Adriatiku i Jugut 2021–2027.

 

Në takim morën pjesë përfaqësues të kompanisë Diper, të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, përfaqësues të institucionit të Prefektit dhe bashkive të qarkut Elbasan.

 

Ky projekt synon të forcojë kapacitetet e Shqipërisë për t’u përgjigjur ndaj zjarreve në pyje dhe zonat urbane, përmes sigurimit të burimeve të besueshme ujore për shuarjen e zjarreve në pellgun e lumit Shkumbin, një rajon gjithnjë e më i ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

 

Qëllimi kryesor është identifikimi dhe vlerësimi i burimeve ujore, natyrore (lumenj, liqene, rezervuarë, burime) dhe artificiale (hidrantë, depo, cisterna), që mund të mbështesin operacionet e shuarjes së zjarreve në zona rurale dhe urbane.

 

Projekti realizohet në përputhje me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së dhe Strategjinë Kombëtare e Evropiane të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike, duke synuar të rrisë gatishmërinë dhe reagimin efektiv ndaj emergjencave të zjarreve në Shqipëri.

Edlira Xherri