Kryeministri, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama, zhvilloi sot një takim me kandidatët për deputetë në qarkun e Elbasanit.

 

I shoqëruar nga drejtuesi politik në këtë qark Arbjan Mazniku, kreu i qeverisë vlerësoi punën e strukturave të Partisë Socialiste në Elbasan, ndërsa shtoi se falë bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe qendror, volumi i punëve në këtë qark është më i madhi në 35 vite.

 

“Dua të ndaj me ju disa mesazhe që besoj është e rëndësishme të jenë në qendër të komunikimi tonë me gjithë qytetarët. Çdo gjë që lidhe me jetën e ndryshme të qytetarëve është shumë e rëndësishme, të gjitha punët e bëra në infrastrukturë, qoftë në atë rrugore, urbane dhe rurale, qoftë në të gjitha aspektet tjera është shumë i rëndësishëm. Padiskutim që edhe në qarkun e Elbasanit volume i punëve të kryera dhe kombinimi i punëve mes pushet qendror dhe vendor është më i madhi në gjithë këto 35 vite”, tha Rama.

 

Rama sërish vuri theksin në fjalën e tij në procesin e integrimit në BE. Sipas kreut të qeverisë ky është një moment historik dhe procesi i mbylljes së negociatave pritet të përfundojë në 2027.

 

“Këto zgjedhje përkojnë me një moment të jashtëzakonshëm historik, ku për herë të parë mundësia e hyrjes në BE të Shqipërisë është jo vetëm, reale po aktuale. Nuk ka qenë deri më sot kaq aktuale, ka qenë reale, na është thënë se Shqupëria e ka vendin në BE, por kjo ka qenë gjithmonë një projeksion në të ardhmen, sot ky është një moment ku kjo mundësi është aktuale”, tha Rama.