Edlira Xherri
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për arsimin profesional në qytet vjen nga Qendra e Formimit Profesional Publik Elbasan, e cila ka marrë pjesë në nisjen zyrtare të projektit ndërkombëtar V-ROADS në Romë, në kuadër të programit Erasmus+.
Takimi u zhvillua në ambientet e MaTeMù CIES Onlus, ku partnerët ndërkombëtarë prezantuan objektivat, ndanë përgjegjësitë dhe hartuan planin e punës për vitin e parë të zbatimit. Pjesa që do të implementohet nga Qendra e Elbasanit do të koordinohet drejtpërdrejt nga drejtori Krenar Xhemali, i cili do të mbikëqyrë procesin në përputhje me standardet europiane të projektit.
V-ROADS ka në fokus krijimin e mikrokredencialeve të lidhura ngushtë me tregun e punës, veçanërisht në sektorin e turizmit, duke synuar përshtatjen e formimit profesional me nevojat reale të ekonomisë. Projekti pritet të sjellë metoda të reja trajnimi dhe mundësi konkrete zhvillimi për të rinjtë dhe profesionistët.
Faza e zbatimit në terren do të nisë më 31 mars 2026 në Elbasan, me angazhimin e aktorëve lokalë dhe bashkëpunimin me bizneset e sektorit për të garantuar rezultate të prekshme.
Pjesëmarrja në këtë projekt, si edhe sigurimi i iniciativave të tjera me financim europian, konfirmon rolin gjithnjë e më aktiv të Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan në rrjetet ndërkombëtare të arsimit dhe trajnimit profesional.




























