Elbasani po shënon një tjetër hap përpara drejt qëndrueshmërisë mjedisore. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, beri me dije se sot përfaqësues nga gjashtë shkollat pjesë e projektit “Green Generation”, morën pjesë në një aktivitet të veçantë për promovimin e energjisë së rinovueshme në institucionet arsimore.
Ky projekt është pjesë e nismës “Sunny Schools”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, dhe ka sjellë instalimin e paneleve fotovoltaike në disa shkolla të Elbasanit
Në kuadër të këtij projekti, në këto shkolla janë instaluar panele fotovoltaike, që jo vetëm reduktojnë konsumin e energjisë, por shërbejnë edhe si mjete edukimi për nxënësit mbi rëndësinë e energjisë së pastër.
“Kjo është një investim që prek të ardhmen. Fëmijët po rriten me kulturën e mbrojtjes së mjedisit dhe vetë shkollat po japin shembullin më të mirë,” – u shpreh Llatja.
Nxënësit, nga ana tjetër, u shprehën të entuziazmuar për përfshirjen në projekt:
“Na pëlqen që shkolla jonë tashmë merr energji nga dielli. Kemi mësuar shumë për mënyrat se si mund të kujdesemi për natyrën,” – tha një nxënëse e klasës së nëntë.
Kjo nismë është pjesë e një vizioni më të gjerë për ta kthyer Elbasanin në një qytet inteligjent, të gjelbër dhe të qëndrueshëm. Bashkia paralajmëron se projekte të tilla do të shtrihen edhe në shkolla të tjera në të ardhmen.
Edlira Xherri Elbasaninews.al