Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua mbledhja e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike (KVSP), me pjesëmarrjen e institucioneve vendore, përfaqësuesve të drejtësisë, arsimit, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë lokalë.
Në fjalën e tij, Kryetari evidentoi nismat e ndërmarra nga Bashkia Elbasan për të forcuar ndjenjën e sigurisë tek qytetarët, duke përfshirë përmirësimin e ndriçimit dhe infrastrukturës urbane, instalimin e teknologjive të mençura për sigurinë, zhvillimin e programeve parandaluese për të rinjtë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, si edhe bashkëpunimin me shkollat dhe komunitetet për fushata ndërgjegjësuese.
Takimi u organizua në kuadër të projektit “PARTNER”, pjesë e Programit SCPA – Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri, financuar nga Qeveria Suedeze përmes SIDA dhe zbatuar nga Shoqata “Tjetër Vizion”.
Në përfundim, Bashkia Elbasan rikonfirmoi angazhimin për të forcuar komitetet lokale të sigurisë në çdo lagje, për të integruar perceptimet e qytetarëve në politikat lokale, për të bashkëpunuar me shkollat, të rinjtë dhe komunitetet vulnerabël, si dhe për të siguruar një komunikim të hapur dhe transparent mbi masat dhe rezultatet e arritura.
Ky takim përbën një tjetër hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një komuniteti më të sigurt, gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët e Elbasanit.