Nga Edlira Xherri

Bashkia Elbasan ka nisur zbatimin e një prej nismave më të rëndësishme në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve: ndarjen në burim. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, i cili theksoi se tashmë janë vendosur koshat e parë për ndarjen e mbetjeve në disa pika të qytetit.

 

Ky projekt vjen si pjesë e vizionit më të gjerë të quajtur #Elbasani2030, që synon një transformim të qëndrueshëm të qytetit, duke përfshirë përmirësimin e cilësisë së jetës, rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe mbrojtjen afatgjatë të mjedisit.

 

“Ndarja në burim ka filluar!”, u shpreh Llatja. “Koshat e rinj janë vetëm fillimi i një nisme më të gjerë, që do të përfshijë të gjithë qytetin në muajt në vijim. Ndarja e mbetjeve sipas kategorive është thelbësore për një proces efikas riciklimi dhe për një mjedis më të shëndetshëm për të gjithë.”

 

Kryebashkiaku allatja  nënvizoi se kjo nismë nuk duhet parë si një detyrim teknik, por si një akt qytetarie:

“Ndarja në burim është një shprehje e respektit për natyrën dhe për brezat që do të vijnë. Është mënyra më e mirë për të treguar se kujdesemi për komunitetin dhe për të ardhmen.”

Në ditët dhe javët në vijim, Bashkia Elbasan do të vazhdojë me shtrirjen e mëtejshme të koshave për ndarjen në burim në të gjitha lagjet e qytetit, duke shoqëruar këtë proces me fushata ndërgjegjësimi, informim dhe edukim për të gjithë qytetarët.

“Le ta bëjmë së bashku qytetin tonë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm,” – përfundon thirrja e Llatjas për të gjithë elbasanasit.