Elbasani është duke i dhënë dorën e fundit pëgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Egnatian këtë të dielë në “Elbasan Arena”. Një sfidë në të cilën verdheblutë shpresojnë të kthehen tek fitorja dhe njëkohësisht të parakalojnë në klasifikim rrogozhinasit që për momentin mbajnë vendin e parë. Dihet që tani për verdheblutë fillon i ashtuquajturi turi i forcës, sepse pretendentët vijnë me radhë, ndaj një fitore ndaj kampionëve në fuqi do të rriste së tepërmi edhe moralin në kampin verdheblu. Nga ana tjetër, fakti që luajnë në shtëpinë e tyre është një motiv ekstra për të dalë nga këto 90-të minuta si fitues.
MERAKU I BORDIN – Në tërësi në këto pesë javë të para skuadra e Elbasanit ka funksionuar, me lojtarët që në fushën e lojës kanë implementuar në pjesën më të madhe të saj idetë e trajnerit. Mirëpo, edhe pse bëhet fjalë për vetëm pak javë, kanë nisur të dalin në skenë edhe defektet e para, për të cilat tekniku po përpiqet që t’i evitojë sa të mundet përpara një ndeshjeje delikate si ajo me Egnatian. Më saktësisht, problemi me të cilët janë hasur elbasanasit deri më tani janë golat e pësuar nga goditjet e këndit dhe ato standardet. Thuhet kështu, pasi nga katër golat e pësuar vetëm njëri ka ardhur me aksion, edhe ai me një gjuajtje nga distanca e Mandelës, në fitoren 2 me 1 të Dinamos në Elbasan. Tre rrjetat e tjera kanë ardhur nga goditjet e ndaluara. Njëra me penallti, ajo e Bregut në fundin e sfidës dhe dy të tjerat nga goditjet e këndit. Pikërisht harkimet në zonë nga të tilla goditje, kanë bërë që në Elbasan të merren enkas me këtë pjesë në stërvitje, në mënyrë që të evitohen sa të munden në të ardhmen. Nga goditjet e këndit e kanë pësuar pikërisht në barazimet 1 me 1 ndaj Skënderbeut dhe së fundmi Tiranës pak ditë më parë. Për këtë arsye në klub kanë mbajtur shënime për gjërat që duhet të përmirësohen në vijim.
SIGURIA NË SULM – Nëse meraku është pësimi i golave nga goditjet standarde, ajo që e qetëson Bordin është shënimi rregullisht i golave. Mjafton të thuhet se në të pesta takimet skuadra ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës, ndonëse jo gjithnjë ka marrë rezultatin që ka kërkuar. Në njëfarë mënyre, shënimi i golit është një garanci më vete, pasi në një mënyrë apo tjetër do të vijë. Mjafton që skuadra të tregohet vigjilente në prapavijë në momente të caktuara dhe në fund pse jo, mund të dalë me tri pikë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse edhe ndaj Egnatias skuadra do të vazhdojë me serinë radhazi të ndeshjeve ku shënon gol.