Bashkia Elbasan vijon angazhimin konkret me të rinjtë e qytetit përmes trajnimit “Ambasadorë të Energjisë për një Elbasan më të Gjelbër!”, një nismë që synon të forcojë rolin e brezit të ri në përballjen me sfidat klimatike dhe energjetike.
Ky trajnim zhvillohet në kuadër të projektit GreenElb “Energjia e Gjelbër dhe e Qëndrueshme në Ndërtesat e Elbasanit”, i zbatuar nga Bashkia në partneritet me Urban Research Institute, me mbështetjen financiare të Komisioni Europian përmes programit NetZeroCities. Projekti synon të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe rritjes së eficiencës në ndërtesat publike dhe private të qytetit.
Gjatë sesioneve trajnuese, pjesëmarrësit po njihen në detaje me Modelin e Standardizuar për Vlerësimin e Performancës së Energjisë në Ndërtesa, një instrument i rëndësishëm për matjen e konsumit, identifikimin e problematikave dhe orientimin drejt zgjidhjeve konkrete për kursimin e energjisë. Përmes diskutimeve, punës në grup dhe analizave praktike, të rinjtë po përgatiten të jenë promotorë aktivë të nismave që lidhen me eficiencën energjetike, reduktimin e emetimeve të karbonit, ndërgjegjësimin e komunitetit për ndryshimet klimatike dhe promovimin e alternativave të qëndrueshme për zhvillimin urban.
Ky angazhim vjen në një moment të rëndësishëm për qytetin, pasi Elbasani është i vetmi qytet në Shqipëri pjesë e Misionit Europian për Neutralitet Klimatik, duke u renditur mes qyteteve që synojnë arritjen e neutralitetit klimatik brenda dekadës. Përmes projekteve si GreenElb, Bashkia synon jo vetëm investime në infrastrukturë të gjelbër, por edhe ndërtimin e një kulture të re qytetare, ku të rinjtë marrin përgjegjësi dhe bëhen zë i ndryshimit.
“Ambasadorët e Energjisë” pritet të shërbejnë si ura lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit, duke përcjellë njohuritë e marra në shkolla, universitete dhe lagje, si dhe duke nxitur praktika të përditshme që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Me këtë nismë, Elbasani hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të gjelbër, më të qëndrueshëm dhe më të jetueshëm, ku të rinjtë janë në qendër të transformimit.

Edlira Xherri