Qyteti i Elbasanit po përjeton një periudhë të gjallë turizmi, me qindra vizitorë vendas dhe të huaj që çdo ditë eksplorojnë thesaret historike dhe kulturore të zonës. Një prej destinacioneve më të vizituara mbetet Muzeu Etnografik, ku turizmi kulturor po rritet në mënyrë të qëndrueshme falë përpjekjeve për ruajtjen dhe promovimin e traditave lokale.
Në këtë atmosferë të ngrohtë mikpritjeje, fëmijët e kampit “Dumrea Eko Park” zhvilluan një vizitë të veçantë në qytet, duke pasur mundësinë të njihen nga afër me trashëgiminë e pasur kulturore të Elbasanit.
Gjatë vizitës së tyre, të vegjlit eksploruan Muzeun Etnografik, ku panë nga afër objekte dhe sende tradicionale që tregojnë jetën e përditshme të banorëve të Elbasanit në shekujt e kaluar. Ata ndoqën me interes punishtet e zejeve tradicionale, ku u njohën me mjeshtëritë e punimit të bakrit, drurit dhe tekstileve – zanate të rralla që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit lokal.
Vizita përfshiu gjithashtu ndalesa në Bazilikën Paleokristiane, një monument me vlera të jashtëzakonshme historike, dhe në Kalën e Elbasanit, ku fëmijët mësuan për historinë dhe rëndësinë strategjike të këtij simbolet të qytetit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e aktiviteteve kulturore dhe artistike gjatë këtij sezoni turistik, të cilat synojnë të lidhin brezat e rinj me trashëgiminë e qytetit dhe të nxisin dashurinë për historinë dhe artin lokal.
Sipas tij, këto nisma janë thelbësore për zhvillimin e turizmit dhe për forcimin e identitetit kulturor të Elbasanit si një qendër e rëndësishme historike dhe turistike në Shqipërie.
Edlira Xherri