Edhe në këtë stinë të nxehtë vere, Elbasani vazhdon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara nga vizitorë vendas dhe të huaj. Autobusë nga shoqëri të ndryshme turistike mbërrijnë çdo ditë në qytet, duke sjellë qindra turistë që duan të njohin nga afër trashëgiminë kulturore, traditat dhe historinë e pasur të Elbasanit.

Një prej ndalesave më tërheqëse është Muzeu Etnografik, ku vizitorët njihen me mjeshtrit e zejeve tradicionale: armëtarët, përpunuesit e leshit, punuesit e drurit dhe artizanë të tjerë që mbajnë gjallë zanatet e hershme të zonës. Përgjegjësja e muzeut, Denada Kristo, thekson se interesimi është gjithnjë në rritje.
“Gjithnjë e më shumë grupe të huajsh dhe vendasish kërkojnë të njihen me traditat, zakonet dhe mënyrën e jetesës së dikurshme të qytetit. Muzeu ynë është bërë një pikë referimi për të gjithë ata që duan të prekin shpirtin e vërtetë të Elbasanit.”
Pas Muzeut Etnografik, grupet turistike vijojnë vizitën në Bazilikën Paleokristiane në sheshin e Bezistanit, një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë së krishtërimit të hershëm. Po ashtu, një tjetër pikë e preferuar është Kalaja e Elbasanit, e cila ruan ende brenda mureve të saj Kishën e Shën Mërisë dhe Xhaminë Mbret, duke ofruar një mozaik unik bashkëjetese fetare.

Së fundmi, Elbasani u vizitua edhe nga 40 fëmijë të kampit veror “Dumrea Eko Park” Belsh, të moshës 9-15 vjeç, të cilët u mahnitën me historinë dhe bukuritë e qytetit. Një udhëtim i cili, përveçse u mësoi atyre shumë për të shkuarën, i dha edhe më shumë gjallëri qytetit në ditët më të nxehta të verës.

Elbasani po kthehet gjithnjë e më shumë në një qendër turistike, ku tradita dhe kultura bashkohen me mikpritjen dhe gjallërinë e qytetit.

Nga Miranda Sadiku