Nga Edlira Xherri 

Elbasan, 3 qershor 2025 –

Sot, Muzeu Etnografik i Elbasanit mirëpriti një grup turistesh nga Gjermania, të cilat u njohën nga afër me historinë, kulturën dhe traditat e qytetit. Ato u shprehën të impresionuara nga veshjet popullore, arkitektura karakteristike dhe pasuria etnografike që ruhet me kujdes në këtë institucion kulturor.

Vizita përfshiu një guidë të detajuar në ambientet e muzeut, ku turistet patën mundësinë të shohin objekte të vjetra shtëpiake, vegla pune të zejeve tradicionale, veshje të dekoruara me motive të hershme popullore dhe elementë të jetës së përditshme të qytetarëve elbasanas ndër shekuj.

Muzeu është i vendosur në një banesë karakteristike të shekullit XIX, pranë Rrapit të Bezistanit, dhe prej vitit 1986 shërben si një pikë referimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të zonës. Stili i ndërtimit i ndërthurur me elementë të arkitekturës vendase dhe ballkanike, i ofron vizitorëve një panoramë autentike të jetës urbane të dikurshme në Elbasan.

Stafi i muzeut vlerësoi vizitën e turisteve si një dëshmi e rritjes së interesit të të huajve për historinë dhe kulturën shqiptare. “Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të treguar identitetin tonë kulturor përtej kufijve,” u shprehën përfaqësues të institucionit.

 

Ndërtesa përbëhet nga dy kate. Kati i parë, që dikur shërbente si magazinë për prodhimet bujqësore, përfshin sot disa ambiente muzeale si dhoma e leshrave, dhoma e metaleve dhe dhoma e tabakëve. Kati i dytë, dikur hapësirë banimi, përfshin dhomën e vajzave, dhomën e grave, dhomën e burrave dhe dhomën e nuses.

Në koleksionin e muzeut përfshihen edhe punime artizanale të mjeshtërve të fushave të ndryshme, si metalpunues, dru punues, armëtarë dhe leshpunues. Objektet më të veçanta përfshijnë gurin e varrit të Mark Sabidit – dëshmi e hershme e vendndodhjes së qytetit – basorelievin e skalitur në gur, si dhe stelën me figurën e nuses ilire. Ndërkohë, vegla tradicionale si vegja e tezgjahut dëshmojnë rolin e gruas në ruajtjen e artizanatit popullor ndër breza.

Muzeu Etnografik i Elbasanit mbetet një thesar i çmuar i trashëgimisë sonë kombëtare, që çdo vit mirëpret qindra turistë të huaj të interesuar për kulturën shqiptare.