Pas ekipit të parë që u ngjit në Superiore si Kampion i kësaj kategorie, ka qenë radha e të rinjve për të bërë të njëjtën gjë. Verdheblutë e vegjël që drejtohen nga Endri Duka janë ngjitur në Superiore, pasi u shpallën kampion të Kategorisë së Parë, duke kompletuar kështu një sezon fantastic për klubin. Në ndeshjen e fundit që e luajtën në “Elbasan Arena”, verdhebluve iu dorëzua edhe trofeu i skuadrës kampione nga ikona e futbollit elbasanas, Mihal Gjika. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe krerët më të lartë elbasanas, nga administratori dhe deri tek trajneri Nevil Dede, i cili mesa duket ka në vëzhdgim disa lojtarë nga moshat për t’i afruar në skuadrën e parë. Njëri prej tyre është edhe sulmuesi Kron Abdiu, i cili është shpallur golashënues i skuadrës si edhe është grumbulluar në ekipin e parë gjatë këtij sezoni që lamë pas.