Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte pjesë e Forumit Kombëtar për Demokraci Lokale 2026, ku mori pjesë në panelin me temë “Integrimi Europian dhe Demokracia Lokale”, një hapësirë e rëndësishme diskutimi për të ardhmen e qeverisjes vendore në vend.

Gjatë fjalës së tij, Llatja vuri theksin te roli kyç që kanë bashkitë në procesin e integrimit europian, duke i cilësuar ato si hallkën e parë në zbatimin e reformave dhe standardeve të Bashkimit Europian.

Në panel u diskutua mbi forcimin e decentralizimit, sfidat që hasin njësitë vendore dhe nevojën për bashkëpunim institucional më të ngushtë. Pjesëmarrësit ndanë gjithashtu përvoja konkrete, duke e konsideruar shkëmbimin e praktikave të mira si një element thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm.

Forumi u vlerësua si një platformë e rëndësishme për të forcuar dialogun dhe për të rritur rolin e pushtetit vendor në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.