Në Forumin e Kryetarëve për Energjinë e Qëndrueshme, që u zhvillua në Durrës, Bashkia Elbasan prezantoi eksperiencën e saj me projektet që po zbatohen në qytet për një të ardhme më të gjelbër. Iniciativa si “Sunny Schools” dhe “GreenElb” synojnë të promovojnë energjinë e rinovueshme dhe efiçiencën energjetike, duke përfshirë edhe institucionet arsimore dhe komunitetin lokal.

 

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, firmosi Deklaratën për Klimën dhe Energjinë, duke e cilësuar këtë hap një angazhim të rëndësishëm për veprime konkrete në dobi të qytetarëve.

 

“Jemi krenarë që Elbasani është pjesë e kësaj nisme rajonale dhe europiane, duke u angazhuar për një të ardhme më të qëndrueshme për qytetin tonë dhe për brezat që vijnë,” u shpreh Llatja.

 

Energjia e qëndrueshme, përveç reduktimit të ndotjes dhe kursimit të energjisë, ndihmon në ndërtimin e një qyteti më të shëndetshëm e më miqësor me mjedisin, duke rritur cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët.