Elbasani është kthyer në një atmosferë festive 9 ditë para festës së Ditës së Verës, e cila rrënjët i ka tek ky qytet.

 

Bashkia Elbasan, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja e nisin kalendarin e festimeve më herët se çdo vit, duke u kujdesur të përfshijnë çdo traditë ashtu siç e meriton ky qytet i cili ka edhe ekskluzivitetin e kësaj feste e ruajtur “gjallë” prej shekujsh.

 

Agjenda e aktiviteteve festive:

 

9 Mars

Ora 10:00 – Trashëgimia në duart e vogla (Pjesëmarrës: fëmijët e kopshteve) – Lulishtja “A. Pasha”

 

10 Mars

Ora 10:00 – Koncert festiv me fëmijët – Parku Rinia

 

12 Mars

Ora 10:00 – Panairi i zejeve dhe kulinarisë (Nxënësit e shkollave) – Rrugicat e Kalasë

Ora 16:00 – Defile e ansambleve – Bulevardi “Q. Stafa”

 

13 Mars

Ora 18:00 – Sofra e Ditës së Verës – Fish City

Me pjesëmarrjen e Artan Bakias, Kastriot Tushës, Anxhela Peristerit, Ansamblit “Isuf Myzyri”, këngëtarëve të rinj elbasanas.

 

Ora 19:00 – Koncert Gala – Sheshi Gensher

Me artistët Alban Skënderaj, Soni Malaj, Anxhela Peristeri, Klint Collaku, Englantina Toska dhe DJ.

 

14 Mars – Dita e Verës

Ora 09:00 – Media Point – Përballë Sahatit

Ora 09:00 – Photo Point LED Wall – Sheshi Gensher

Ora 09:00 – Panairi i zejeve – Bulevardi

Ora 09:00 – Panairi i ballokumes – Lulishtja “Aqif Pasha”

Ora 10:00 – Karnavalet e shkollave – Bulevardi “Q. Stafa”

Ora 11:00 – Koncert në shesh me Elita 5 dhe Ardit Çuni

Ora 18:00 – Koncert elektronik – Sheshi Gensher

 

15 Mars

Ora 10:00 – DJ Set – Sheshi Gensher

Ora 10:00 – Retro Parade – Sheshi Gensher

Ora 20:00 – Koncert me Redon Makashin dhe Altin Gocin – Sheshi Gensher

 

16 Mars

Ora 10:00 – Çiklizmi

Ora 18:00 – Një lulishte me trëndafila – Teatri Skampa

 

Me një program kaq të pasur, Elbasani do të mirëpresë  vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të festuar së bashku Ditën e Verës, festën e ngrohtësisë, traditës dhe gëzimit.

 

 

Elbasan, sot është bërë një simbol kombëtar i pranverës dhe gëzimit.

 

Në Elbasan, qendra tradicionale e festimeve, Dita e Verës ruan ende zakonet e vjetra si përgatitja e ballokumes, një ëmbëlsirë tradicionale e bërë me miell misri, sheqer dhe gjalpë. Familjet mblidhen së bashku, shtëpitë hapin dyert për miqtë dhe qyteti mbushet me muzikë, vallëzime dhe panaire.

 

Historia e festës tradicionale 

Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

Por zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e te gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore.

Por festa e Verës që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe ‘qyteti në kërthizë të Shqipërisë’, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, ‘goditen ‘ ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët, tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojra popullore. Në Elbasan e në Peqin festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

EDLIRA XHERRI ELBASANINEWS.AL