Edlira Xherri
Një fundjavë suksesi për sportin elbasanas. Në Kampionatin Kombëtar ekipor dhe individual të pingpongut, zhvilluar më 10–11 prill në Vlorë për grupmoshat U-13 dhe U-19, sportistët e Elbasanit arritën një paraqitje mbresëlënëse duke siguruar plot 4 kupa.
Ekipi i vajzave U-13 u shpall kampion, ndërsa në garat individuale të kësaj grupmoshe triumfoi Ana Kokoneshi, duke marrë vendin e parë. Po ashtu, dominimi vijoi edhe në U-19, ku ekipi i vajzave u shpall sërish kampion, ndërsa Ana Kokoneshi konfirmoi formën e saj të shkëlqyer duke fituar edhe titullin kampion në garën individuale.
Ky sukses vjen si rezultat i punës së palodhur të sportistëve dhe përkushtimit të trajnerëve Gëzim Tosuni dhe Greta Kovaci, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e ekipit.
Me këtë arritje, Elbasani konfirmon edhe një herë potencialin dhe traditën në sportin e pingpongut, duke u kthyer nga Vlora me katër trofe dhe me synime të qarta për suksese të tjera në vijim.




























