Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar shpalljen e katër zonave prioritare për zhvillim brenda territorit administrativ të Bashkisë.

 

Zonat e përzgjedhura janë Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë, të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik dhe mjedisor për qytetin dhe rajonin.

 

Ky vendim mbështetet në Ligjin nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve” dhe në udhëzimet e miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror, si dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kulturore.

 

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se këto zona kanë potencial të lartë zhvillimi dhe tashmë po tërheqin interes nga bizneset dhe investitorët, ndërsa prioritet mbetet turizmi malor dhe ekoturizmi.

 

Gjinari, i njohur si “xhevahiri natyror” i Elbasanit, ofron mundësi për turizëm malor, ekoturizëm dhe përpunim të bimëve mjekësore.

 

Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet natyrore, shihet si destinacion i ardhshëm për turizëm kulturor, rural dhe sporte aventure.

 

Tregani, me ujërat termale, mbetet një atraksion i veçantë për turizmin shëndetësor dhe relaksues, duke pritur çdo vit mbi 9 mijë vizitorë.

 

Shushica (Bysheku), vetëm pak kilometra larg qytetit, ofron potencial për turizëm familjar, bujqësi dhe kulinari tradicionale. Rritja e investimeve pritet të jetë edhe më e madhe falë afërsisë me autoparkun dhe Koridorin VIII, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e saj dhe të gjithë rajonit.