Fitore emocionuese ndaj Tiranës dhe vlerësim i veçantë për sportistin elbasanas Leonard Petroshi

Nga Edlira XHERRI 

Ekipi i Qarkut Elbasan ka triumfuar në finalet e volejbollit për djem, të zhvilluara në kuadër të edicionit të 3-të të Ekipeve Sportive në Shkolla, duke sjellë një tjetër trofe të rëndësishëm në qytetin.  Në një ndeshje plot emocion dhe rivalitet, Elbasani mposhti ekipin e Tiranës me rezultatin 2-1, duke u shpallur kampion kombëtar në këtë aktivitet që bashkoi nxënës nga të gjitha qarqet e vendit.

Ndeshja u zhvillua në Parkun Olimpik të Tiranës dhe u karakterizua nga dinamizëm, vendosmëri dhe lojë ekipore, ku djemtë elbasanas treguan një formë të shkëlqyer sportive. Me këtë sukses, ata kurorëzojnë një rrugëtim të suksesshëm në këtë kompeticion që promovon sportin dhe vlerat edukative në shkolla.

Përveç suksesit si ekip, vlerësim i veçantë shkoi edhe për talentin elbasanas Leonard Petroshi, i cili u shpall “Sportisti më i mirë” në kategorinë e djemve. Ai u dallua për aftësi të larta fizike dhe teknike, si dhe për shpirtin garues që e karakterizoi gjatë gjithë turneut.

Çertifikatat dhe trofetë për fituesit u ndanë nga z. Erlind Pëllumbi, President i Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe zëvendëspresident i KOKSH, duke i dhënë këtij eventi një vlerësim të lartë institucional.

Krahas finales së djemve, u zhvillua edhe finalja për vajza, ku ekipi i Qarkut Lezhë fitoi ndaj Fierit, duke treguar nivel të lartë teknik dhe organizativ.

Organizatorët e aktivitetit theksuan se ky edicion po dëshmon rëndësinë e sportit si pjesë thelbësore e edukimit dhe zhvillimit të brezave të rinj. “Le të vazhdojë ky model frymëzues që jo vetëm ngre trofe, por edhe formon breza me vlera,” u shprehën ata në mbyllje të aktivitetit.