Turizmi kulturor në Elbasan po njeh një rritje të ndjeshme nga viti në vit, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët e huaj dhe vendas. Vetëm gjatë muajve gusht dhe shtator, mbi 4,500 turistë kanë vizituar Elbasanin, duke treguar qartë interesin e lartë për trashëgiminë historike, mikpritjen dhe vlerat e pasura kulturore që ofron qyteti.
Një nga pikat më tërheqëse mbetet Kalaja e Elbasanit, e cila po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër të gjallë turizmi. Falë nismave të rivitalizimit dhe promovimit, kjo hapësirë historike ka fituar një jetë të re, duke ftuar vizitorët të përjetojnë jo vetëm historinë, por edhe harmoninë ndërfetare që karakterizon qytetin. Brenda mureve të saj gjenden Xhamia e Mbretit, Kisha Ortodokse “Shën Maria” dhe shumë pranë Kisha Katolike, një dëshmi unike e bashkëjetesës ndër shekuj.
Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në bashkinë e Elbasanit, Artur Guni, theksoi se përveç Kalasë dhe Muzeut Etnografik, vizitorët janë njohur edhe me natyrën e bukur të Funarit, Gjinarit dhe Byshekut. “Kryesisht kemi turistë nga vende europiane si Franca, Izraeli, Italia, por edhe nga SHBA-ja dhe Australia. Mikpritja elbasanase dhe historia e pasur janë arsyeja që i kthejnë ata përsëri këtu”, u shpreh Guni.
Një element i veçantë që e bën Elbasanin të paharrueshëm është mikpritja tradicionale. Zakonisht, zonjat që jetojnë brenda mureve të Kalasë hapin dyert për turistët, duke i gostitur me kafe, ëmbëlsira dhe rrëfime nga historia e qytetit – një përvojë autentike që nuk gjendet lehtë në destinacione të tjera.
Me ritmin e vizitave që rritet çdo vit, Elbasani po forcon pozitat e tij si një nga qytetet kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri, duke u shndërruar në një pikë referimi për ata që duan të zbulojnë kombinimin e historisë, kulturës dhe mikpritjes shqiptare.
Edlira XHERRI