Nga Edlira Xherri
Një qendër e re ditore për moshën e tretë ka hapur dyert në Elbasan, duke ofruar shërbime mjekësore bazë, fizioterapi, asistencë shëndetësore dhe aktivitete sociale për të moshuarit. Qendra, e konceptuar në formën e një salle pritjeje, synon të shmangë radhët dhe burokracitë, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe mikpritës.
Përveç kujdesit shëndetësor, të moshuarit që frekuentojnë këtë hapësirë asistohen edhe në përdorimin e portalit shtetëror e-Albania, duke lehtësuar marrjen e shërbimeve publike. Një tjetër vlerë e shtuar e qendrës është mundësia që u jep të moshuarve për të krijuar miqësi të reja dhe për të marrë pjesë në aktivitete që ndihmojnë në ruajtjen e aftësive kognitive, si dhe në uljen e ndjenjës së vetmisë dhe izolimit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili ishte i pranishëm sot në qendër, tha:
“”Është kënaqësi të ndash kafen e mëngjesit me të moshuarit tanë. Së bashku me Fondin Social po zgjerojmë shërbimet për moshën e tretë në katër qendra multifunksionale, ku përveç fizioterapisë dhe asistencës shëndetësore, ofrojmë edhe aktivitete sociale që u japin më shumë energji dhe gëzim përditshmërisë së tyre. Qëllimi ynë është të rrisim cilësinë e jetës dhe t’i bëjmë të ndihen të vlerësuar çdo ditë.”
Aktualisht, përveç qendrës rezidenciale për të moshuar, në Elbasan funksionojnë edhe dy qendra ditore, ndërsa objektivi i Bashkisë është që në të ardhmen çdo lagje e qytetit të ketë një hapësirë të tillë, duke e bërë kujdesin dhe integrimin e moshës së tretë një prioritet të përhershëm.