Në 23 metër linear pikturim janë sjellë në pikturë murale të tipit afresk

-Sot nuk njihet një hekurudhë  në mes të qytetit e përdorur nga Austro-Hungarezet për qëllime transporti

-Vjen për herë të parë Xhamia e poetëve e njohur ndryshe edhe si xhamia e Kules

– Elbasani ka nxjerr artistë me emër si Onufrin, Kostandin Shpatarakun, Mehmet Aga Biçakçiun (arkitekt), Isuf Sulovarin, Bukurosh Sejdinin, Gazmend Lekën, Sigfrid Mullisin, Kujtim Koprenckën

Albert Z. ZHOLI

Një  çift artistësh që gjithmonë krijojnë dhe ideojnë vepra arti në interes të komunitetit ku jetojnë dhe më tej. Pikturat dhe idetë e tyre për artin në përgjithësi dhe pikturën në veçanti ka bërë që të tërheqin vëmendjen e kritikës Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Së fundi ata ideuan dhe realizuan dy muze të rëndësishme për qytetin e Elbasanit siç ishte Muzeu i qytetit dhe një Muze për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

-Së fundmi bashkë me bashkëshorten tuaj keni ideuar Muzeun e Elbasanit. Çfarë përmban ky Muzeum nga krijimtaria juaj dhe si lindi kjo ide?

-Po është e vërtetë. Ne kemi pak kohë që kemi përfunduar dy projekte të  mëdha artistiko-kulturore në qytetin e Elbasanit, një prej të cilëve është edhe Muzeumi i Elbasanit.

Ideja erdhi spontanisht, gjatë bisedës me një biznesmen të qytetit, i cili ishte i gatshëm të investonte në këtë projekt.

-Kush është specifika e këtij muezumi në raport me muzeumet e tjerë në Shqipëri?

 

-Specifika e tij është se ky është muze pamor. Kjo do të thotë se përmes tij, audienca njihet me një panoramë të caktuar, në këtë rast qytetin e Elbasanit të periudhës 1910 – 1960.

 

– Elis si është ideuar brendia e muzeut, a ka piktura dhe çfarë pikturash ka brenda tij?

Puna filloi me hulumtimin nëpër arkiva të ndryshme shtetërore e private, për të gjetur materialin tek i cili do të bazoheshim. Shpesh na është dashur të hyjmë në biseda njohëse me historianë e arkeologë të shquar të qytetit, si dhe me njerëz të moshuar të cilët na kanë ndihmuar për të krijuar një përfytyrim më të saktë të peizazhit të Elbasanit të dikurshëm. Kështu pra, në këtë muze përballesh me një pikturë të vazhduar, e cila mbart objekte arkitektonike dhe domethënëse, por edhe aromën, shijen dhe estetikën e qytetit të atyre viteve. Pra vizitori njeh Elbasanin e dikurshëm përmes këtij muzeu.

 

– Rudina sa piktura janë brenda muzeut dhe çfarë temash trajtojnë?

Ndryshe nga sa është mësuar publiku të shohë nëpër muze të zakonshëm të artit pamor, të cilët paraqesin tablo të veçanta dhe të ndryshme, muzeu jonë ka një klimë tjetër. Në 23 metër linear pikturim paraqiten të shkrira dhjetëra momente të rëndësishme të periudhës gjysmë shekullore  të qytetit tonë. Një pjesë e të cilave për fat të keq, nuk i kanë  rezistuar kohës. Të mos harrojmë që Elbasani  që në periudhën Otomane  ishte i organizuar në Shoqëri Esnafore, të cilat e vazhduan traditën e tyre edhe më vonë edhe pse jo aq të organizuara si më parë. Elbasani ka qenë dhe mbetet një djep i kulturës, arsimit, muzikës, pikturës ,skulpturës, madje që në mesjetë. E pra   dëshmi e kësaj klime është piktura murale lineare e muzeut të perceptuar prej nesh.

– Punimet në çfarë teknike janë bërë dhe pse?

 

Duke qenë se donim të jepnim një ide sa më të qartë në lidhje me qytetin  brenda kësaj periudhe 50-vjeçare nga pikëpamja kulturore,  arkitektonike,  gjeografike ( për sa është e mundur) si dhe ajo e tipologjisë se banorëve të tij, menduam ta sjellim në pikturë murale të tipit afresk. Në këtë formë të krijohet përshtypja e një dritareje të hapur gjatësore përtej të cilës ti sheh” të shkuarën”.

 

–  Elis, në cilën gjini është tentuar të përvijohet më qartë ky muezum në portrete, peizazhe, kompozime, balada apo natyra të qeta?

Është  një miksim i të gjithave bashkë. Aty njihesh me peizazhin, me arkitekturën, me urbanistikën,  me intelektin  dhe traditën. Duke evidentuar kështu fragmente te qytetit te dikurshëm të cilat banorët e sotëm të Elbasanit nuk e kanë ditur se kanë ekzistuar. Si përshembull një hekurudhë  në mes të qytetit e përdorur nga Austro-Hungarezet për qëllime transporti,xhamia e Tabakeve, rrapi i Bobolles, rrapi i Tabakëve, Xhamia e poetëve e njohur ndryshe edhe si xhamia e Kules etj, të para këto si në aspektin e objekteve , ashtu edhe në atë njerëzor.

 

-Si qytet Elbasani a ka nxjerrë piktorë që kanë bërë histori në pikturën shqiptare dhe a janë pjesë e muzeut këta piktorë?

 

Sigurisht që Elbasani si qytet me tradita të hershme i ka dhënë Shqipërisë shumë artistë. Mund të përmendim këtu Onufrin, Kostandin Shpatarakun, Mehmet Aga Biçakçiun (arkitekt), Isuf Sulovarin, Bukurosh Sejdinin, Gazmend Lekën, Sigfrid Mullisin, Kujtim Koprenckën  etj. Por duke qenë se qëllimi i muzeut ishte krejt tjetër, për fat të keq këto figura të ndritura të artit shqiptar nuk janë pjesë e tij. Shtojmë këtu se muzeume që do të paraqisnin në mënyrë më të plotë dhe shumë-dimensionale qytetin e Elbasanit, por pse jo edhe qytete të tjera, do të ishte mirë të merrnin vëmendjen e shtetit apo  të pushtetit lokal, pasi janë projekte që kërkojnë shumë energji dhe investim për tu realizuar. Këto lloj projektesh kërkojnë një fond të konsiderueshëm , ama nga ana tjetër rrisin interesin e turistëve që vizitojnë  këto qytete sepse përveç vlerës historike e kulturore, mbartin brenda edhe vlerat artistike.

 

-Aktualisht piktorët e skulptoret  shqiptarë a janë konkurrues në botë?

 

Për hir të së vërtetës ne kemi pasur një traditë shumë të mirë të Akademisë së Arteve, e cila është e shkurtër po ta krahasosh me akademi të tjera Europiane. Por edhe pse e shkurtër,  vlerat e saj janë të pa mohueshme. Këtë e dëshmojnë arritje të kolegëve tanë në shumë vende të botës  si Kreshnik Xhiku , Vasiliev Nini , Adrian Paci, Blendi Çota etj.

 

– Rudina personalisht ju ku tentoni te piktura moderne, abstraksioniste apo te piktura klasike me forma?

 

Po ti përmbahemi arsimimit që nga liceu e deri ne akademi, formimi ynë i ka prekur të gjitha etapat, por ajo që dominon tek unë si piktore dhe tek Elisi si skulptor, është arti impresionist .

Madje do të thoja që botëkuptimi i njëjtë artistik, na ka lidhur më shumë me njeri tjetrin. Përsa i takon muzeut stili i përdorur anon nga realizmi për arsye edhe të qëllimit.

 

– Elis a mendoni se Muzeumi i Elbasanit  tashmë do jetë një destinacion turistik?

 

Padyshim që po. Ka të gjithë kapacitetin e nevojshëm për të qenë një destinacion turistik si për të huajt ashtu edhe për kulturimin e brezave të rinj. Na është dashur shpesh here të mbajmë larg sytë kurioz, që mezi prisnin ta shijonin edhe gjatë procesit.

 

– Bashkëshortja juaj a ka qenë pjesë e barabartë në këtë nismë kaq të rëndësishme për jetën kulturore të një qyteti?

 

Nisur nga fakti që Rudina është piktore dhe unë skulptor , peshën kryesore e ka pasur ajo në këtë projekt. Sidomos përsa i përket teknikave dhe stilit të pikturimit.

 

–  Sot piktoret femra a janë në atë nivel sa dhe meshkujt?

 

Mendoj se niveli artistik i një artisti nuk përcaktohet nga gjinia. Personalisht ndjehem krenar dhe i rivalizuar nga bashkëshortja ime …

 

– Rudina a ka shenja maskilimzi për femrat në rrethet e piktorëve?

 

Personalisht nuk e kam ndierë një gjë të tillë, por edhe nuk e shoh të arsyeshme se përse duhet të ketë maskilizëm jo vetëm në art por në çdo fushë të jetës. Në botë ka po aq gra të paafta sa ka edhe burra të paaftë. Çështja e përfaqësimit pastaj është diçka tjetër. Kurse për sa i takon artit mendoj se  arti është një nga fushat me më pak paragjykime të tilla.

 Gazeta Telegraph