Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan do të vijë në Tiranë ditën e hënë(nesër) për një vizitë zyrtare. Sipas agjendës të publikuar në media, pas pritjes në aeroportin “Nënë Tereza” do të vizitojë qytetin e Laçit ku do të bëhet edhe dorëzimi i shtëpive të ndërtuara pas tërmetit.
Ndërkohë pas Laçit, Erdogan do marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë të restauruar së fundmi.
Presidenti turk tha për ADN se Turqia e sheh Shqipërinë edhe si mike edhe si aleate të natyrshme. Ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në periudhën e tyre më produktive në fushën politike, ekonomike dhe sociale.
Një pjesë e fjalës së Erdogan:
Turqia është një pjesë e pandashme e Ballkanit dhe Ballkani është një rajon i domosdoshëm në interesat e Turqisë. Pikëpamja e Turqisë për Ballkanin është formuar nga historia dhe kultura e përbashkët. Sidomos gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe më miqësore me vendet e Ballkanit. Shqipëria është në qendër të kësaj perspektive. Turqia e sheh Shqipërinë edhe si mike edhe si aleate të natyrshme. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin. Në këtë drejtim, Turqia ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë mike dhe vëllazërore me ndjenjat më të përzemërta dhe të sinqerta dhe është e vendosur ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
Përveç marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, Turqia vlerëson praninë e Shqipërisë në NATO dhe gjithashtu mbështet procesin e anëtarësimit në BE, i cili ka ngecur vitet e fundit dhe Turqia shërben si një nga miqtë më të ngushtë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Shpresoj se Turqia dhe Shqipëria do të lundrojnë për ditë më të ndritshme, duke përcjellë një marrëdhënie miqësie dhe partneriteti brezave të ardhshëm bazuar në parimin win-win.
Top Channel



























