Një valë e fuqishme e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës, duke shkaktuar temperatura përvëluese dhe alarm shëndetësor në shumë shtete.
Spanja është mes vendeve më të prekura, ku të shtunën në qytetin El Granado u regjistrua temperatura rekord prej 46°C, më e larta ndonjëherë për muajin qershor, sipas shërbimit kombëtar meteorologjik.
Në qytete si Sevilja dhe zonat përreth, termometri është rritur në 40°C, ndërsa muajit qershor i janë dhënë të gjitha gjasat për të hyrë në histori si më i nxehti ndonjëherë në Spanjë
Ndërkohë, alarm i kuq për temperaturat ekstreme është shpallur në disa zona të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa paralajmërimet portokalli janë aktivizuar në pjesë të Francës, Austrisë, Belgjikës, Hungarisë, Sllovenisë, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë e Zvicrës.
Në Barcelonë, një grua humbi jetën pasi përfundoi turnin si pastruese rruge në të nxehtin përvëlues të së shtunës. Autoritetet kanë nisur hetimet për rastin.
Italia ka raportuar rritje të ndjeshme të rasteve me goditje nga i nxehti, sidomos tek të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike dhe personat në situatë rruge. Spitale si “Ospedale dei Colli” në Napoli kanë krijuar rrugë të posaçme trajtimi për të përballuar rastet emergjente.
Në Bologna janë hapur shtatë qendra klimaterike me ajër të kondicionuar dhe ujë të pijshëm, ndërsa në Romë, të moshuarve mbi 70 vjeç u ofrohet hyrje falas në pishinat publike.
Në Lisbonë, farmacistët raportojnë raste me djegie dhe goditje nga i nxehti, pavarësisht paralajmërimeve për të qëndruar në hije gjatë orëve më të nxehta.
Valët e të nxehtit kanë përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Serbia regjistroi temperaturën më të lartë ndonjëherë që nga fillimi i matjeve në shekullin XIX. Në Slloveni, të shtunën u shënua temperatura më e lartë e qershorit në histori, ndërsa Maqedonia e Veriut u përball me 42°C të premten.
Parashikimet tregojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten në ditët në vijim, sidomos në Francë, Gjermani, Itali dhe Britani. Në Londër, të hënën mund të shënohen deri në 35°C, ndërsa paralajmërimet e verdha dhe portokalli për të nxehtin janë shpallur për fundjavën.
Ekspertët theksojnë se megjithëse është e vështirë të lidhet çdo ngjarje ekstreme drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më intensive për shkak të ndryshimeve klimatike.
Top Channel