ATSH/ Qeveria shtyn afatin e përfitimin të subvencionimit të qirasë, për të gjitha familjet shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmeti, deri në momentin që ata do të hyjnë në shtëpitë e tyre të reja, që po ndërtohen në kuadër të programit të rindërtimit.

Gjatë diskutimit sot në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti tha se  “përmes këtij akti normative për shtyrjen për 1 vit të pagesës së qirasë ne zgjasim mbështetjen deri në momentin që familjet e dëmtuara nga tërmeti, do të hyjnë në banesat e tyre të rikonstruktuara apo të rindërtuara”.

Kjo mbështetje financiare është një suport më shumë që do të vijojë deri në momentin që familjet do të marrin çelësat e banesave të tyre të reja, u shpreh Gjylameti.

Sipas saj, rreth 98% e familjeve të prekura nga tërmeti sot janë në banesa me qira dhe qeveria i financon atë. Kurse një numër shumë i kufizuar kanë zgjedhur të mos largohen nga ambientet e tyre për shkak të ekonomisë rurale.

“Pavarësisht kushteve të pandemisë procesi i rindërtimit po ecën me ritme të kënaqshme. Për herë të parë në këto 30 vite kanë marrë jetë kaq shumë programe transformuese jo vetëm në infrastructure, por me impak në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Aktualisht janë përfunduar 1 mijë shtëpi ku të gjithë banorët janë futur dhe janë në proces rindërtimi 1599 banesa teke që përfundojnë  brenda vitit’- tha ajo

Kemi sot 28 kantiere ndërtimi në të gjithë Shqipërinë, si në Kurbin, Fushë-Krujë, Durrës, Shijak, Tiranë ku po ndërtohet sipas standardeve me të mira duke transformuar zhvillimin ekonomik social të këtyre zonave. Gjithashtu rikonstruksioni po vijon me ritme të shpejta dhe falë VKM për t’ju dhënë totalin e kostos së ndërtimit të gjitha atyre familjeve që duan të përshpejtojnë procesin e rindërtimit, puna po vijon edhe më shpejt. Tirana ka qenë një nga zonat që është prekur më shumë nga tërmeti. Me dorëzimin e dokumentacionit 2890 familje marrin bonusin e qerasë për një vit sipas vlerës së tregut të lirë dhe ndërkohë gjatë gjithë këtij viti ka vijuar puna për ndërtimin e banesave të reja.

“Falë këtij procesi rindërtimi përfitojnë të gjithë. Shqipëria është kthyer në një kantier rindërtimi dhe kjo do të sjellë përfitime për të gjithë vendin. Në mandatin e parë kjo mazhorancë arrit të stabilizojë borxhet më mandatin e dytë mund ta konsiderojmë si mandatin e punës dhe të  transformimit që pavarësisht sfidave vazhdon ende. Pra nëse për opozitën 25 prilli është një datë llotarie për PS është një ditë më shumë për të vijua proceset  transformuese të zhvillimit”- tha Gjylameti. e,xh/