ATSH/ Rreth 50 vende përfshirë Shqipërinë, nga Evropa dhe Azia Qendrore do të bashkohen në sesionin e 33-të të Konferencës Rajonale për Evropën (EC33) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për të diskutuar çështjet urgjente të sigurisë ushqimore dhe transformimin e sistemeve agroushqimore.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se, takimi vjen në një kohë krizash të zgjatura, pasi rajoni po përballet me sfidat e shkaktuara nga COVID-19. Ndërkohë, konflikti në Ukrainë po ndikon në prodhimin dhe tregtinë e produkteve kryesore agroushqimore dhe po kërcënon jetën dhe jetesën e miliona njerëzve në Evropë dhe Azinë Qendrore, e më gjerë.

Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë çështje që prekin sigurinë ushqimore dhe bujqësinë në nivel botëror, duke përfshirë rritjen e çmimeve globale të ushqimeve dhe do të ndajnë qasjet e tyre për transformimin e sistemeve agroushqimore në Evropë dhe Azinë Qendrore për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të vlerës së ushqimit.

Konferenca rajonale është ngjarja kryesore e vendimmarrësve në Evropë dhe Azinë Qendrore. Konferenca 4-ditore, mbahet këtë vit nga qeveria polake, nga data 10-13 maj, dhe do të jetë një event hibrid, me pjesëmarrje dhe online.

Ministrave të Bujqësisë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së vendeve nga rajoni i Europës dhe Azisë Qendrore, do t’i bashkohen grupet e shoqërisë civile, përfaqësues të sektorit privat, partnerë zhvillimor dhe vëzhgues.

Gjatë konferencës, diskutantët do të informohen lidhur me kornizën strategjike të FAO-s 2022-2031. Konferenca do të udhëheqë vendet të arrijnë prodhim më të mirë, ushqyerje më të mirë, mjedis më të mirë, dhe një jetë më të mirë për të gjithë, duke mos lënë askënd pas.

Konferenca do të sigurojë një platformë për dialogun e nivelit të lartë, përveç të tjerave, edhe në çështjet e lançimit të Platformës Teknike Rajonale për Bujqësinë e Gjelbër
dhe përshpejtimi për përforcimin e transformimit dixhital të bujqësisë përmes strategjive në nivel kombëtar dhe perspektivës rurale.

/j.p/r.e/