Qeveria do të nisë fazën e dytë për marrjen e masave kundër përhapjes së koronavirusit. Në një videomesazh, kryeministri Edi Rama prezantoi një qasje të re, atë të lehtësimit të masave sipas zonave të riskut.
Sipas tij, zona si Krujë nuk do të kenë asnjë masë lehtësuese, kurse në zonat si Dibra apo Gjirokastra lehtësimet për qytetarët do të jenë të shumta.
Edi Rama: Ne do të përdorim një taktikë të coptimit të valës goditëse të armikut gjatë fazës II. Që do të thotë do të hapemi me kujdes, mund të hapemi kudo, po jo kudo njësoj dhe njëkohësisht.
Çfarë do të thotë kjo?
Po ta shohim sot bilancin e Shqipërisë në hartën e Ballkanit, Evropës apo Botës ne hyjmë në grupin e vendeve më të suksesshme aktualisht në dy parametrat kryesore. Numri i të vdekurve për 1 milionë banorë dhe numri i të sëmurëve në terapi intensive në raport me të infektuarit. Masat e forta shtrënguese kanë funksionuar mësë miri deri këtu falë qeverisë që i mori shpejt, por mbi të gjitha falë jush, falë qytetarëve shqiptarët, që në 99% keni qenë engjëjt mbrojtës. Por po të shohim nga ana tjetër hartën e Shqipërisë, kemi një pamje të qartë të faktit se vala e goditjes së armikut nuk ka qenë e njëjtë. Që do të thotë se nëse hapemi kudo njësoj dhe njëkohësisht ne rrezikojmë ta zgjerojmë jo ta ngushtojmë fushëveprimin e armikut, gjë që do ti kushtonte të gjithëve një kthim prapa.
Ne do të hapemi kudo, por jo njësoj. Psh, në një zonë si Gjirokastra dhe Dibra ku risku sot për sot është shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim të masave, ndërsa në një zonë si Kruja për momentin asnjë lehtësim. Apo në një zonë si Tirana dhe Durrësi që kanë intensitet popullate një lehtësim të moderuar.
Kjo qasje taktike do të na lehtësojë, por edhe do të na mësojë shumë çka gjatë muajit maj, por do të na garantojë një hapje shumë më të sigurte dhe me një risk të ulët që mos kthehemi mbrapsht për shkak se u rit shpejt kudo efekti i valës goditëse dhe nga ana tjetër, kjo qasje do të lehtësojë shumë në zona të ndryshme lëvizjen më këmbë apo me automjet brenda për brenda zonës pa i detyruar zonat me risk të ulët të rrinë mbyllur njësoj si një zonë me risk të lartë. Kështu që brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizje në territorin përkatës, duke hequr atë dhimbjen e kokës së njerëzve të fshatit për të shkuar në qytet. Apo të një familje të tërë për të ndenjur brenda sepse një anëtari i saj mund të dalë për pazar.
Po ashtu edhe fashat e orareve nuk kanë pse të jenë njësoj si me zonat me risk të ulët si në ato me risk të lartë.
/Ora News.tv/