Në kuadër të 125-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit tonë të madh kombëtar, Naim Frashëri, në Bibliotekën e Fëmijëve pranë Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” u zhvillua një aktivitet i veçantë me nxënësit e shkollës “Myrteza Gjoni” të Balëzit.

Fëmijët sollën vargje, mendime dhe interpretime nga krijimtaria e Naimit, duke përcjellë me emocion dhe krenari mesazhet e tij të pavdekshme për gjuhën shqipe, dijen dhe dashurinë për atdheun.

Nëpërmjet recitimeve dhe diskutimeve, ata shprehën mirënjohjen për figurën e poetit që mbetet simbol i fjalës, kulturës dhe shpirtit shqiptar.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Tetorit – Muaji i Librit, duke sjellë një shembull frymëzues se si letërsia e madhe bashkon breza dhe ushqen dashurinë për gjuhën amtare.

Një ditë e mbushur me ndjenja, frymëzim dhe respekt për Naim Frashërin — poetin që u mësoi shqiptarëve të duan dijen dhe atdheun.

Edlira Xherri