Fëmijët të cilët janë marrë nga familjet e tyre biologjike për shkak të problemeve sociale si dhunë, vështirësi ekonomike e të tjera tanimë nuk do të strehohen në shtëpitë e fëmijës, por në familje kujdestare.

Zhuljeta Fejzo tregon eksperiencën e saj me një vajzë të vogël 6 vjeç të cilën e mori nga shtëpia e fëmijës në Vlorë.

“E mora 6 vjeç dhe sot që ajo është 7 ka pësuar një ndryshim të madh .Ajo më thërrët mami dhe bashkëshortin babi. Do të marrë mbiemrin tonë”,u shpreh ajo

Një reformë e ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale synon ofrimin e shërbimit social për fëmijët në nevojë në familje me synimin për t’i bashkuar sërish me familjen biologjike.

“Ne në Vlorë dhe Korçë nuk kemi asnjë fëmijë në shtëpitë e fëmijës, i kemi shpërndarë në familje kujdestare. Janë 232 fëmijë në nevojë”, tha Denada Seferi.

Familjet kujdestare do të testohen nëse mund të ofrojnë rritjen e shëndetshme të këtyre fëmijëve.Për herë të parë këto familje që do të përzgjidhen, do të trajtohen me pagesë pasi do të konsiderohet si profesion. Kjo reformë ka nisur në rezidencën e mbështetjes sociale për fëmijë në Vlorë dhe Korçë dhe do të shtrihet edhe në 7 qytete të tjera.

Top Channel