Nga Edlira XHERRI

 

Në një atmosferë festive dhe plot emocion, nxënësit e klasës së parë të shkollës “Sulë Harri” ngjitën skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, për të festuar një ndër momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre shkollor – Festen e Abetares.

Të veshur me ngjyra, buzëqeshje dhe përgatitur me dashuri nga mësuesit e tyre, fëmijët sollën një shfaqje të veçantë me këngë, valle, poezi dhe numra artistikë që emocionuan të pranishmit. Salla u mbush me duartrokitje dhe krenari, ndërsa yjet më të vegjël të dijes na kujtuan se çdo shkronjë e mësuar është një hap më pranë ëndrrave të tyre.

Ky aktivitet shënon përmbylljen e vitit të parë shkollor, një udhëtim i mbushur me përpjekje, dashuri dhe përkushtim, jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga mësuesit dhe prindërit që i kanë mbështetur në çdo hap.

“Kjo festë nuk është vetëm një moment gëzimi për fëmijët, por edhe një reflektim mbi rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes që u jepet atyre në hapat e parë drejt dijes,” u shprehën organizatorët.

 

Bashkia Elbasan dhe institucionet arsimore lokale kanë mbështetur këtë aktivitet, duke e kthyer atë në një traditë që forcon lidhjen mes shkollës, familjes dhe komunitetit.

 

Festa e Abetares në Elbasan mbetet një nga ngjarjet më të dashura për fëmijët, familjet dhe mësuesit, duke përcjellë mesazhin e rëndësisë së edukimit që në hapat e parë të jetës shkollore.