ATSH/ Me rastin e 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi presidentit të Bundestagut, Wolfgang Schäuble.

Nikolla i shpreh mirënjohjen Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

“Ju shpreh urimet më të përzemërta të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe të miat personalisht, me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare të Gjermanisë. Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, këto ngjarje të shënuara për kombin gjerman dhe për
të gjithë njerëzimin, lajmëruan erën e ndryshimeve demokratike dhe të lirisë për popujt e Evropës Lindore e Qendrore e më gjerë. Gjermania është sot një vend i madh, i fuqishëm dhe i përparuar, mike e Shqipërisë, një anëtare prestigjioze e Bashkimit Europian dhe shoqëria gjermane një model për demokracitë e reja”, shprehet Nikolla.

“Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë, Bundestagut dhe juve personalisht për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin tashmë të njohur në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel në Tiranë, më 14 shtator të këtij viti. Shpreh bindjen se marrëdhëniet e bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman do të zgjerohet e fuqizohet më tej”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.