George Frendo, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë ka fituar betejën me koronavirusin.
Pas 33 ditësh në spital, nesër Imzot Frendo do të mbërrijë në Shqipëri.
Imzot George Frendo do të celebrojë Meshën e Krishtlindjeve më 24 Dhjetor ora 20.00. Mësohet se mesha do të zhvillohet në zbatim të kushteve të pandemisë.
Kujtojmë që Imzot Frendo rreth një muaj më parë u prek nga Covid-19, pasi gjendja e tij u përkeqësua u nis me urgjencë në Itali për mjekim më të specializuar.
“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që e kanë uruar për shërim sa më të shpejt dhe janë lutur për të. Po ashtu përshëndes përzemërsisht grigjën time shumë të dashur”. Ishte ky mesazhi i parë falënderues i Imzot Frendo, nga Kuvendi i Fretërve Françeskan Kapuçin në Bari ku edhe u kurua.



























