ATSH-ANSA/ – Nuk do ta harrojmë kurrë se çfarë Gjermania u shkaktoi hebrenjve, ishin fjalët e ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në 80-vjetorin e konferencës famëkeqe të Wannsee, e cila në 1942 vendosi eliminimin sistematik të 11 milionë hebrenjve në Evropë.

”Për vuajtjet (e hebrenjve – shën. i përkth) fajin e kanë edhe zyrtare dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme gjermane të kohës, të cilët u vunë në shërbim të krimeve dhe gjenocidit të regjimit nazist”, theksoi ajo.

”Ky kapitull i historisë duhet të jetë një nxitje për ne, pasi një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë më”, deklaroi Baerbock.

Konferenca e Wannsee ishte një takim i zyrtarëve të lartë të qeverisë së Gjermanisë naziste dhe udhëheqësve të Schutzstaffel (SS), i mbajtur në periferi të Berlinit, në Wannsee, më 20 janar 1942.

Qëllimi i konferencës, i thirrur nga drejtori i Zyrës së Sigurisë së Rajhut, Reinhard Heydrich, duhej të siguronte bashkëpunimin e drejtuesve administrativë të departamenteve të ndryshme qeveritare në zbatimin e zgjidhjes përfundimtare të çështjes hebraike, sipas së cilës shumica e hebrenjve të Evropës së pushtuar nga gjermanët do të deportoheshin në Poloninë e pushtuar dhe do të vriteshin.

Gjatë takimit, Heydrich përshkroi se si hebrenjtë evropianë do të grumbulloheshin dhe do të dërgoheshin në kampet e vdekjes, ku do të vriteshin./   /os/