ATSH-AFP/ – Pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar më shumë se 120 000 të vdekur në botë, 70% prej të cilëve në Europë, që prej shfaqjes në Kinë në muajin dhjetor, sipas të dhënave zyrtare të orës 11:00 GMT.
Në total 120 013 të vdekur janë regjistruar në botë, prej të cilëve 81 474 në Europë, kontinenti më i prekur.
SHBA-ja është vendi që ka regjistruar numrin më të lartë të të vdekurve me 23 649, para Italisë me 20 465 të vdekur, Spanjës me 18 056 të vdekur dhe Francës me 14 967 të vdekur.
Që prej fillimit të pandemisë, 1 923 390 raste janë deklaruar në botë, më shumë se gjysma në Europë me 973 087 dhe më shumë se 582 590 në SHBA, vendi ku pandemia ka progresuar me shpejtësi.
Numri i rasteve të diagnostikuara nuk reflekton numrin real të të kontaminuarve pasi shumë vende testojnë vetëm rastet që iu nevojitet shërbim spitalor.