KAJRO, 2 maj /ATSH-DPA/ – Miliona myslimanë në mbarë botën po festojnë sot Fitër Bajramin, i pari pasi shumë vende hoqën kufizimet kundër koronavirusit, të vendosura dy vjet më parë.

Fitër Bajrami shënon fundin e muajit të shenjtë të agjërimit islam të Ramazanit.

Arabia Saudite, shtëpia e vendeve më të shenjta të Islamit, deklaroi se e hëna është fillimi i festës treditore të Fitër Bajramit, një nga festat më të shenjta në kalendarin islamik.

Shumë vende të tjera kanë bërë të njëjtën gjë.

Disa të tjerë, si Afganistani, festuan dje.

Fillimi dhe fundi i muajve islamë përcaktohen nga Hëna e re.

Gjatë dy viteve të fundit, myslimanët festuan mes shtetrrethimit dhe masave të distancimit social të vendosura për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Sot, mijëra besimtarë u panë në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës të Arabisë Saudite për të kryer lutjet speciale të Bajramit herët në mëngjes.

Skena të ngjashme u panë brenda dhe përreth xhamive në vende të tjera si Egjipti, Maroku dhe Jordania.

Fitër Bajrami gjithashtu zakonisht shënohet me tubime shoqërore, rroba të reja dhe biskota të mbushura me hurma ose arra.

Megjithatë, gëzimi është zbehur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.

Muajin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se lufta në Ukrainë po ndikon ndjeshëm në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut (MENA), pasi çmimet më të larta të ushqimit dhe mungesat e mundshme të furnizimit po sfidojnë përballueshmërinë dhe disponueshmërinë e produkteve bazë ushqimore si gruri./ a.jor.