ATSH-DPA/ – Udhëheqësit perëndimorë janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se cila do të ishte përgjigjja e tyre nëse Rusia do të nisë një pushtim të Ukrainës në javët e ardhshme, pasi ekspertë dhe analistë të shumtë paralajmërojnë se kjo gjë mund të ndodhë.
Ukraina dhe Rusia kanë qenë në një përplasje të zjarrtë që nga viti 2014, kur trupat ruse aneksuan Gadishullin e Krimesë dhe separatistët pro rusë morën kontrollin e dy territoreve lindore të Ukrainës.
Pavarësisht armëpushimeve, dhuna vazhdon të jetë e pranishme.
Ekspertët kanë paralajmëruar për javë të tëra se Rusia, e cila ka grumbulluar trupa pranë kufirit ukrainas, mund të jetë duke përgatitur një tjetër sulm.
Rusia mohon akuzat dhe kundërshton se Ukraina është pala kërcënuese falë ftesave të fundit për të lejuar trupat e NATO-s të kryejnë stërvitje në territorin e saj.
Në komentet për edicionin e nesërm të gazetës ”Frankfurter Allgemeine”, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck thotë se ”një pushtim rus mund ta shtyjë Berlinin të rimendojë bashkëpunimin e tij me Rusinë për gazjellësin ”Nord Stream 2”.
”Nord Stream 2”, që do të dërgojë gaz direkt nga Rusia në Gjermani, ka mërzitur aleatët.
SHBA thotë se do ta bëjë Evropën më tej të varur nga Rusia.
Ukraina, e cila mbështetet në të ardhurat dhe ndikimin nga linjat e gazit rus që kalojnë territorin e saj, shqetësohet se po mënjanohet.
Gazsjellësi nuk është ende në përdorim, në pritje të miratimit nga rregullatorët gjermanë.
Megjithëse zyrtarët gjermanë kanë theksuar se vendimi është një vendim jopolitik që do të merret nga një organ rregullator, Habeck thotë se ”kjo mund të ndryshojë në rastin e një pushtimi”.
“Ne nuk mund të ndalojmë asnjë rrjedhë mendimi në një rast të tillë”, tha ai.
Megjithatë, lajmet nuk janë të gjitha pozitive për Ukrainën.
Shoqata britanike e shtypit raportoi se sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace dha një intervistë për ”Spectator”, ku thotë se ”Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, kështu që ka shumë pak gjasa që dikush do të dërgojë trupa në Ukrainë për të sfiduar Rusinë”.
“Ukrainasit janë të vetëdijshëm për këtë”, tha ai.
Një ditë më parë, kryeministri britanik, Boris Johnson i kishte thënë, në një bisedë telefonike, presidentit rus Vladimir Putin se çdo aktivitet destabilizues që synon Ukrainën nga Rusia do të ishte një “gabim strategjik”./ a.jor.

























