Kryeministri Edi Rama foli sot për projektin e cirkuitit të Formula 1 në Elbasan, ndërsa u shpreh se “shansi është i gjithi që të realizohet dhe është në dorën tonë”.
Në një komunikim në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili shprehet dyshues mbi projektin e Formula 1.
“Ne do ta bëjmë. Kemi komunikim të vazhdueshëm me stafin teknik të ‘Formula 1’. Ai projekti që pe është bërë në konsultim të vazhdueshëm me stafin teknik të ‘Formula 1’. Studioja që ka bërë projektin e ish pilotit Alexander Wurz. Është një studio që ka lincensim nga Formula 1 dhe punon me Formula 1”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “ne e kemi pasur këtu edhe administratorin e përgjithshëm të “Formula 1″, si dhe Flavio Briatoren”.
“Kanë parë vendin dhe gjërat. Janë shumë entuziastë për këtë, por duhet të bëjmë ne pjesën tonë dhe atë po bëjmë.”
Automotoparku i Elbasanit parashikohet të mirëpresë garat më prestigjioze të “Formula 1”, me 300 mijë spektatorë fizikisht dhe mbi 1 miliard shikues në ekran, duke e kthyer në këtë mënyrë Elbasanin në epiqendrën e re të turizmit sportiv në rajon.
Gjatë prezantimit disa ditë më parë të projektit të Automotoparkut, një kompleks sportiv ndërkombëtar sipas standardeve më të larta të FIA dhe FIM, Rama bëri të ditur se “projekti tanimë është i detajuar plotësisht në një bashkëpunim të ngushtë me “Formula 1″”.
/r.e/atsh