Ndeshjet në shtëpi priteshin të ishin fortesa e Elbasanit këtë edicion. Verdheblutë vinin në Superiore me petkun e skuadrës kampione në të Parën, por mbi të gjitha si e vetmja skuadër që nuk e kishte provuar ende shijen e humbjes në “Elbasan Arena”. Duke nisur nga Kategoria e Dytë dhe në të Parën, verdheblutë dilnin më pjesën dërrmuese fitimtarë në fushën e tyre dhe në pak raste barazonin, por asnjëherë nuk mundeshin. Duke parë këtë ecuri, u mendua ose të paktën u shpresua që i njëjti “ritual” të vazhdonte edhe mes më të mirave, por deri më tani nuk ka rezultuar aspak ashtu dhe Elbasani nuk ka ditur ta shfrytëzojë faktorin fushë.

Kjo javë i vë përballë Tiranën dhe në Elbasan shpresojnë të bëjnë një kthesë 360 gradë në “Elbasan Arena”, aty ku fitorja e fundit ka ardhur kundër Laçit, pikërisht më 12 shtator kur i mundën minimalisht 1-0 me gol të portugezit Ze Gomesh.

PARAQITJET NË SHTËPI – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim ndeshjeve ku verdheblutë kanë luajtur si pritës dhe shifrat nuk janë aspak të mira. Bëhet fjalë për tetë takime (duke përfshirë ato me Dinamon dhe Vllazninë) dhe nga 24 pikë të mundshme kanë marrë vetëm 10 të tilla. Bëhet fjalë për një mesatare prej 1.25 pikë për ndeshje, shumë pak për një ekip që një ndër armët më të forta ka pasur pikërisht fushën e vet, kjo edhe në sajë të përkrahjes së gjerë nga ana e tifozëve.

Për më tepër, dy humbjet e vetme që kanë verdheblutë këtë edicion i kanë në shtëpinë e tyre, ato ndaj Dinamos. Sa i përket ndeshjeve jashtë, kanë luajtur pesë të tilla, me një bilanc prej një fitoreje dhe katër barazimesh, me shtatë pikë të përkthyera. Në përqindje pikësh kanë grumbulluar 1.4 për ndeshje, çka nënkupton se verdheblutë kanë qenë më efikasë jashtë shtëpisë së tyre. Nga sa kuptohet, janë pikërisht pikët e lëna dhe rezultatet e koleksionuara në “Elbasan Arena” ato që e kanë penalizuar për të qenë më lart në renditje. Gjithsesi, verdheblutë kanë shansin këtë javë që të bëjnë menjëherë autokritikë, edhe pse përballë kanë një kundërshtar si Tirana. Të dielën bëhen plot 74 ditë që të besuarit e Roberto Bordin nuk dalin me tri pikë nga stadiumi i tyre dhe në skuadër shpresojnë që t’i japin fund kësaj hegjemonie pikërisht në ndeshjen që edhe për tifozët konsiderohet e veçantë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL