TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Turistët vendas kanë filluar të “pushtojnë” këto ditë vere qytetin e Përmetit, i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë.

Përmeti është një mundësi më shumë për turistët që po shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e Vjosës, dhe kjo për shkak të aspektit kulturor, por edhe shëndetësor dhe ekologjik.

Ai njihet si  qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, i luleve, i këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës, por veçanërisht i glikove unikale, që përgatiten nga gratë përmetare prej vitesh.

Një basoreliev i harmonizuar bukur, me piktura, gjelbërim e lule pret turistët në hyrje të qytetit, sapo kalon urën. Ndërsa  menjëherë të bie në sy një pastërti dhe gjelbërim i rrallë. Pasi hynë në qytet të shfaqet përpara shëtitorja dhe sheshi i ri i qytetit, i ndërtuar me mozaikë me gurë shumëngjyrësh, i cili në mbrëmje gjallërohet nga turistët që kanë ardhur për të kaluar fundjavën në Përmet.

Lulishtet e qytetit që jo më kot është cilësuar si “qyteti i trëndafilave” lulëzojnë nga lulet shumëngjyrëshe, të mbjella nga bashkia e Përmetit.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, tha për ATSH-në se “në qytetin tonë është çelur sezoni turistik me turistë vendas , ndërsa turistët e huaj janë shumë të kufizuar në numër për shkak të situatës së pandemisë dhe mbylljes së kufijve tokësorë dhe ajrorë. Rreth 1600 turistë kanë vizituar Përmetin çdo fundjavë, që prej daljes nga izolimi” .

“Për t’i dhënë jetë turizmit në këtë sezon  jemi përpjekur nëpërmjet operatorëve turistik , njoftimet në faqet tona zyrtare dhe komunikimet me televizione të ndryshme për të pritur turistë vendas dhe më gjerë të vizitojnë qytetin tonë të bukur”, – thekson Hoxha.

Sipas saj, në fundjavë të  gjithë operatorët turistikë kanë qenë të prenotuar , rreth 1600 turistë kanë vizituar Përmetin çdo fundjavë .

“Bashkia  ka marrë masa për sigurinë e turistëve duke ushtruar kontrolle  tek operatorët turistikë për zbatimin sa më rigoroz të masave të  marra për këtë situate”, – tha Hoxha.

Kryebashkiakja shprehet se Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet tepër të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

“Turistët preferojnë të vizitojnë disa pikat turistike më të njohura të qytetit si Ujërat Termale , kanionet e Lengaricës, objektet e Kultit, atraksionet natyrore në Malin e Dhembelit dhe Nemërçkës, luginën e Vjosës, Gurin e Qytetit, etj”,- tha Hoxha.

Pronari i një hoteli në Përmet i kontaktuar nga ATSH, shprehet se “në qytet nuk gjen kollaj hotele të lira, megjithëse vitet e fundit turizmi familjar po merr përparësi me disa guesthouse që janë shtuar për të pritur turistët”.

“Në hotelin tonë vitet e fundit vijnë shumë turistë vendas, por edhe të huaj. Këtë vit kanë ardhur më shumë nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa turistët e huaj për shkak të pandemisë ende nuk janë në numër të lartë. Ne përveç hotelit ofrojmë edhe guida në vendet turistike të qytetit, si dhe shëtitje me kuaj, që është preferuar shumë nga vizitorët”, – shprehet ai.

Sipas tij, një nga vendet më të pëlqyera nga turistët janë ujërat termale të Bënjës si dhe rafting në lumin Vjosë.

Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmit. Tradita e gatimeve të njohura përmetare, sikundër ajo e prodhimit të reçelrave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë e ekonomisë dhe punësimit familjar.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister.

ATSH