Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja Brigitte ngritën një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër blogeres amerikane, Candace Owens për përhapjen dhe shfrytëzimin e gjerë, në një video, të informacionit të rremë se Brigitte Macron “ka lindur burrë”.

Ky lajm i rremë, i cili është rishfaqur rregullisht në mediat sociale në Francë që nga zgjedhjet e para të Emmanuel Macron në 2017, ka lulëzuar jashtë vendit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara pasi blogerja e ekstremit të djathtë Candace Owens e shfrytëzoi atë në mars 2024 duke i dhënë asaj jehonë globale që nga janari 2025 me një seri videosh të titulluara “Duke u bërë Brigitte”.

Çifti presidencial ngriti dje një padi për shpifje, në një gjykatë në Delaware duke kërkuar dëmshpërblim “shembullor” që do të përcaktohet në gjyq.

Avokatët e tyre pohojnë në padi se Candace Owens ishte plotësisht në dijeni të falsitetit të këtyre akuzave dhe hodhi poshtë sistematikisht të gjitha kërkesat për korrigjim, duke vazhduar në “fushatën e saj të shpifjes” për të “fituar famë dhe për të fituar para” duke vënë në dukje se ajo tani ka 6,9 milionë abonentë në llogarinë e saj X dhe 4,7 milionë në YouTube.

Sipas lajmit të rremë që e nisi këtë aferë, e cila qarkulloi gjerësisht në Francë nga grupe duke përfshirë teoricienë konspiracioni, skeptikë të COVID dhe të djathtën ekstreme, Brigitte Macron, mbiemri i vajzërisë Trogneux, nuk ka ekzistuar kurrë, por vëllai i saj Jean-Michel e mori këtë identitet pasi iu nënshtrua një ndryshimi gjinor.

Dy gra, Natacha Rey dhe Amandine Roy, të cilat e kishin përhapur gjerësisht atë, u urdhëruan nga gjykatat franceze në shtator të paguanin disa mijëra euro dëmshpërblim për Brigitte Macron dhe 5 000 euro për Jean-Michel Trogneux, por ato u liruan nga akuzat në apel më 10 korrik.

Brigitte Macron dhe vëllai i saj e kanë apeluar këtë vendim./  a.jor.