ATSH – I. Vata/ Macukull është një zonë turistike me vlera historike- kulturore dhe resurse të mëdha natyrore.
Kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj, publikoi një video me pamjet madhështore që ofron Macukulli me malin e Dejës.
“Macukulli ka një panoramë të mrekullueshme malore. Ai ofron shërbim dhe akomodim me gatime tradicionale e produkte bio bujqësore apo blegtorale. Pamja që shoqëron rrugën për në fshatin Macukull është mahnitëse. Që aty mund të vëzhgosh luginën e Matit, fshatrat Shoshaj-Zenisht- Burgajet- ku kalon dhe rruga nacionale. Në fshatin Burgajet, vendlindja e mbretit Zogu i Parë mund të vizitohen Sarajet e Zogollit. Pikërisht që këtu fillojnë edhe dy shtigjet si drejtime të përshtatshme për zhvillimin e guidave turistike malore në shërbim të turizmit të aventurës. Shqefën-Urxallë -Qafë e Shënkollit (Dukagjin) – Macukull. Lis – Vig – Mbasdejë”, shprehet Malaj.
Macukulli gjende në anë perëndimore të malit të Dejës dhe konsiderohet si ballkoni i Mati, pasi të ofron pamje madhështore sa syri shënon konturet e fundit me detin.
Macukulli është pjesë e Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës është një nga bukuritë natyrore më të rralla që ka Shqipëria.
Në qendër të parkut ndodhet mali i Dejës, që ngrihet drejt qiellit duke u përshëndetur me Korabin, Malin e Munellës dhe perëndimin deri në det. Në verilindje ndodhet Lura, në lindje mali i Runjës, ndërsa në perëndim nja horizont i pamasë sa hija e Dejës laget në ujërat e Adriatikut.
Macukulli është pikënisja drejtë maleve të harlisura me pyje, pisha, bredhi, ahu, bimësi e pafundme, rrethojnë liqenet akullnajore në shpate dhe që njihen nga të gjithë si “12 liqenet e Lurës”.
Macukulli është 27 km larg qytetit të Burrelit dhe para gjende fshati Burgajet vendi i sarajeve të Mbretit, fshati Derjan një nga qendra më të banuara të zonës, Urcalla, Dukagjini ku është shënuar ngjarja më e madhe e Kuvendi 1601-1602 ku morën pjesë pjesë përfaqësues nga 13 krahina shqiptare.
Në Macukull, në vendi e quajtur Qafë Kishë është mbajtur formula e pagëzimit (1462), dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Karakteristike janë kullat e llojit unikal në Shqipëri si nga arkitektura ashtu dhe ndërtimi me gurë të gdhendur, ku bien në sy frengjitë dhe fortifikimi i tyre dhe për këtë arsye, quhet dhe fshati i kullave të bardha.



























